Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, sot është mbajtur akademi përkujtimore me rastin e 24-vjetorit të vrasjes së ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi, dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Bafti Bajrami dhe Bajram Bytyçi.

Akademia u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Suharekë, e cila mban emrin e ish-kryetarit Ukë Bytyçi. Në këtë ngjarje morën pjesë qytetarë të shumtë, bashkëluftëtarë, përfaqësues politikë dhe personalitete të ndryshme, të cilët u mblodhën për të nderuar jetën dhe veprën e tyre.



Gjatë këtij përkujtimi u rikthye në kujtesë kontributi i Ukë Bytyçit si intelektual, atdhetar, veprimtar politik, i burgosur politik, luftëtar dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe kryetar i LDK-së dhe i Komunës së Suharekës. Ai ia kushtoi jetën çështjes kombëtare, lirisë së Kosovës dhe ndërtimit të demokracisë.

Më 27 tetor 2002, vetëm një ditë pas fitores së tij në zgjedhjet lokale, Ukë Bytyçi u vra në një atentat në Leshan, së bashku me Bafti Bajramin dhe Bajram Bytyçin. Vrasja e tyre mbetet një nga ngjarjet e rënda të periudhës së pasluftës në Kosovë, që la pasoja të thella në jetën politike dhe shoqërore të vendit.
Përvjetori i vrasjes së tyre shërben si moment reflektimi për të kaluarën, për sakrificat dhe kontributin e atyre që punuan për lirinë dhe demokracinë, por edhe për plagët e pazgjidhura të shoqërisë sonë.
Sipërmarrësi nga Suhareka, Gani Berisha, themelues dhe pronar i kompanisë “Gani Transport”, është nderuar me çmimin tradicional “Ukë Bytyçi”, të cilin Komuna e Suharekës e ndan çdo vit në përvjetorin e vrasjes së ish-kryetarit të Komunës, Ukë Bytyçi. Ky vlerësim për udhëheqje të mirë vjen si njohje e një rrugëtimi shumëvjeçar, të karakterizuar nga puna, përkushtimi, veprimtaria kombëtare, humanizmi dhe kontributi për vendlindjen.

Akademia përkujtimore ishte një mundësi për të nderuar kujtimin e Ukë Bytyçit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, si dhe për të përcjellë te brezat e rinj rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
Lavdi jetës dhe veprës së Ukë Bytyçit, Bafti Bajramit dhe Bajram Bytyçit!


















Lini një Përgjigje