Nxënësit nga Suhareka radhiten në pesëshen e parë në Garat Republikane të Fizikës /

Nxënësit nga Komuna e Suharekës kanë shënuar sukses të rëndësishëm në Garat Republikane të Fizikës, të mbajtura në Prishtinë, duke u renditur ndër më të mirët në nivel vendi dhe duke konfirmuar cilësinë e arsimit në këtë komunë.

Në këto gara morën pjesë nxënës të përzgjedhur nga shkollat e Komunës së Suharekës, të cilët u kualifikuan pas rezultateve të shkëlqyera të arritura në garat shkollore dhe komunale. Ata e përfaqësuan komunën me seriozitet, disiplinë dhe përgatitje të lartë profesionale, në një konkurrencë të fortë ku morën pjesë mbi 300 nxënës nga e gjithë Kosova.

Nxënësit e Suharekës arritën rezultate shumë të mira, me disa prej tyre që u renditën në mesin e pesëshes dhe dhjetëshes së parë në kategoritë përkatëse, duke dëshmuar njohuri të avancuara teorike dhe aftësi të shkëlqyera në zgjidhjen e problemeve nga fusha e fizikës.

Rezultatet e nxënësve të komunës sonë në dhjetë vendet e para janë si vijon:

  • Bleron Berisha, Gjimnazi “Jeta e Re”, Klasa XII – Vendi V, 80 pikë
  • Stina Berisha, SHFMU “Destan Bajraktari”, Klasa IX – Vendi V, 45 pikë
  • Drion Kafexholli, Gjimnazi “Jeta e Re”, Klasa XI – Vendi IX, 35 pikë
  • Majlinda Rrafshi, SHFMU “Sadri Duhla”, Klasa VIII – Vendi X, 46 pikë
  • Vlera Veselaj, SHFMU “Destan Bajraktari”, Klasa IX – Vendi X, 32 pikë

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, z. Remzi Bajselmani, i përgëzoi nxënësit për rezultatet e arritura, duke theksuar se ky sukses është dëshmi e përkushtimit, punës së palodhshme të nxënësve dhe mësimdhënësve, si dhe përfaqësimit dinjitoz të Komunës së Suharekës në nivel republikan. Ai u uroi të gjithë pjesëmarrësve suksese edhe më të mëdha në sfidat e ardhshme akademike.