Organizata “Liria ka Emër” ka zhvilluar sot një sërë takimesh në Komunën e Suharekës, në kuadër të fushatës për mobilizimin qytetar rreth marshit “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përfaqësues të kësaj platforme fillimisht janë pritur nga Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, ndërsa më pas kanë zhvilluar takime edhe me OVL UÇK – Dega në Suharekë, përfaqësues të Shtëpisë Felbach, si dhe me grupe të artistëve dhe të rinjve të qytetit.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte informimi dhe mobilizimi i qytetarëve për pjesëmarrje në marshin qytetar, i cili synon kërkesën për drejtësi të paanshme dhe respektim të vlerave të luftës çlirimtare, duke e mbajtur këtë kauzë jashtë ndikimeve politike.
Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka shprehur mirënjohje për pritjen dhe mbështetjen e dhënë nga Kryetari Muharremaj, duke theksuar se takimi në Suharekë ishte dëshmi se kjo kauzë i tejkalon dallimet dhe bashkon qytetarët rreth vlerave themelore të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe respektit për sakrificën e çlirimtarëve.
Mbështetje për këtë iniciativë është shprehur edhe nga OVL UÇK – Dega në Suharekë, Shtëpia Felbach, si dhe komuniteti i artistëve në Suharekë, duke theksuar rëndësinë e unitetit qytetar në mbrojtje të vlerave kombëtare.
Marshi qytetar “Drejtësi, jo politikë” do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, ndërsa organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve nga të gjitha komunat që t’i bashkohen kësaj nisme pa dallime politike, fetare apo shoqërore.




















Lini një Përgjigje