Aksioni i njësive të antidrogës i zhvilluar në Suharekë ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për veprimtari të lidhura me narkotikë, pas bastisjeve të realizuara në disa lokacione të ndryshme.
Sipas informatave nga burime të besueshme pranë hetimit, në pranga kanë rënë: Sylejman Kryeziu, i njohur me nofkën “Baba Syl”, Armend Kryeziu dhe Fatlum Fandaj.
Operacioni është realizuar pas sigurimit të informatave operative nga terreni dhe burimeve të inteligjencës, mbi dyshimet për shpërndarje dhe posedim të substancave narkotike. Gjatë kontrollit në lokacionet e dyshuara, zyrtarët kanë sekuestruar prova materiale që lidhen me rastin dhe që do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejme.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar në prani të mbrojtësve, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar pritet caktimi i masës së ndalimit. Hetimet po vazhdojnë dhe nuk përjashtohet zgjerimi i aksionit edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë.

















Lini një Përgjigje