Njësia Anti-Drogë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren ka zhvilluar sot një aksion të gjerë operativ në territorin e Komunës së Suharekës, në kuadër të luftës kundër posedimit dhe shpërndarjes së substancave narkotike.
Gjatë këtij aksioni, policia ka arritur të kapë në flagrancë tre persona të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë, një shumë e konsiderueshme parash të gatshme (cash), si dhe disa vetura që dyshohet se janë përdorur për veprimtari të kundërligjshme.
Sipas burimeve policore, aksioni është zhvilluar në bazë të informatave operative dhe hetimeve paraprake, të cilat kanë çuar në ndërhyrje të shpejtë dhe bastisje të targetuara në disa lokacione.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personat e arrestuar janë ndaluar dhe ndaj tyre pritet të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe veprave penale që lidhen me narkotikët, në funksion të sigurisë publike dhe sundimit të ligjit.

















Lini një Përgjigje