Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur sot në radhët e saj një prej figurave më të shquara të sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë në vend – Gjeneral Major Gëzim Hazrollin. Me mbi tre dekada përvojë në uniformë, Hazrolli vjen në LDK si simbol i disiplinës, integritetit dhe profesionalizmit që, siç u vlerësua, vendit i nevojiten më shumë se kurrë në jetën publike.
Gjenerali Hazrolli njihet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku si Komandant i Brigadës 123 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës udhëhoqi me përgjegjësi, guxim dhe qetësi strategjike. Ai është cilësuar ndër figurat që i dhanë peshë fjalës “komandant”, duke mbajtur vijën e frontit në momentet më vendimtare të çlirimit.
Pas luftës, roli i tij ishte po aq i rëndësishëm. Hazrolli ishte ndër arkitektët kryesorë të themelimit të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, si dhe ndër drejtuesit që udhëhoqën transformimin e tyre në Forcën e Sigurisë së Kosovës – duke ngritur standardet profesionale, kapacitetet luftarake dhe lidhjet strategjike me aleatët euroatlantikë.
Nga viti 2009 deri në maj 2025, ai mbajti pozicionet më të larta drejtuese brenda FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, duke qenë pjesë e çdo procesi kyç të modernizimit të ushtrisë. Formimi i tij profesional përfshin institucionet më prestigjioze strategjike ndërkombëtare, si Royal College of Defence Studies në Londër, Marshall Center në Garmisch dhe programet ekzekutive në Monterey, California.
Për shërbimin e tij shembullor, Republika e Kosovës e ka nderuar me disa nga dekoratat më të larta shtetërore, përfshirë Medaljen Presidenciale Ushtarake, Medaljen për Shërbime të Shquara dhe Medaljen e Karrierës.
LDK theksoi se aderimi i Gjeneral Hazrollit në parti përçon një mesazh të qartë: rikthimin e njerëzve të përgjegjësisë, profesionalizmit dhe shtetndërtimit në politikë. Sipas partisë, Kosova sot ka nevojë për institucione funksionale, përgatitje të mirë strategjike dhe drejtim të qëndrueshëm – jo improvizime e jo spektakël politik.
“Mirë se vjen në këtë shtëpi politike, Gjeneral Gëzim Hazrolli,” u theksua në komunikatë. “Këtu do të gjesh vlerat që ke mbrojtur për më shumë se tri dekada: nderin, disiplinën, besën dhe përkushtimin ndaj Republikës.”
Me ardhjen e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se projekti për një Kosovë më të sigurt, më të fortë dhe më evropiane bëhet edhe më solid.

















Lini një Përgjigje