Protesta madhështore në sheshin “Skënderbej” në Tiranë: “Thaçi me të tjerët kryen detyrën më të lartë që njeh historia, çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e popullit të vet” /

Në sheshin “Skënderbej” të Tiranës u mbajt sot një protestë madhështore mbarëkombëtare në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Nën moton “Liria ka emër”, mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën për të shprehur bashkimin, mirënjohjen dhe respektin ndaj atyre që udhëhoqën luftën për çlirim dhe pavarësi të Kosovës.

Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës, u theksua se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nuk janë thjesht të akuzuar, por simbol i rezistencës dhe i sakrificës kombëtare.

“Thaçi me të tjerët kryen detyrën më të lartë që njeh historia – çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e popullit të vet,” – u tha në një nga fjalimet para mijëra pjesëmarrësve që mbushën sheshin.

Në këtë protestë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve, veteranë të luftës, figura publike, kryetarë komunash nga Kosova e Shqipëria, si dhe qytetarë të shumtë që ngritën flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe për liri e drejtësi.

Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, duke përcjellë mesazhin e unitetit kombëtar dhe kërkesën për drejtësi të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Screenshot