Në Shtëpinë e Kulturës “Uke Bytyqi” është hapur zyrtarisht edicioni i 24-të i “Festarit”, festa tradicionale e Komunës së Suharekës që bashkon kulturën, rininë, artin, verën dhe të mirat bujqësore të kësaj treve.
Festari, i cili tashmë daton 24 vite, u çel me një program artistik dhe me hapjen e ekspozitës së piktorit Afrim Harjullahu, duke sjellë para publikut një atmosferë të gjallë kulturore. Në hapje morën pjesë shumë qytetarë, mysafirë nga Fellbahu i Gjermanisë, si dhe artistë nga vende të ndryshme.
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e medalionit të Festarit, post-mortum, për ish-kryetarin e Komunës, Uke Bytyqi, i cili njihet si themelues i kësaj feste kulturore. Medalioni u dorëzua nga kryetari aktual i Komunës, Bali Muharremaj, dhe u pranua nga djali i tij, Flamur Bytyqi.
Festari 2025 do të vazhdojë edhe për pesë ditë me radhë, me aktivitete të shumta kulturore, artistike dhe promovuese të trashëgimisë dhe traditës suharekase.





























Lini një Përgjigje