Pasditen e sotme, në zonën industriale të Shirokës, pranë Trafostacionit 110 kVA të KOSTT-it, shpërtheu një zjarr i madh, i cili rrezikoi dhjetëra biznese dhe infrastrukturën energjetike që furnizon me energji elektrike të gjithë Suharekën dhe rrethinën. Dyshohet se shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike nga telat e tensionit të lartë.
Kryetari i nëndegës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Shirokë, Bashkim Ndrecaj, ka reaguar menjëherë, duke e cilësuar ndërhyrjen e sotme si vendimtare për shmangien e një katastrofe me dëme që mund të arrinin qindra milionë euro.
“Sot, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe bashkëpunimit të jashtëzakonshëm, arritëm të shmangim një katastrofë të madhe. Shkëndija elektrike nga telat e tensionit të lartë, e cila dyshohet si shkaktare e zjarrit, rrezikoi seriozisht një zonë me dhjetëra biznese dhe, ç’është më e rëndësishmja, Trafostacionin 110 kVA të KOSTT-it. Ky stacion është jetik, duke shpërndarë energji elektrike për të gjithë Suharekën dhe rrethinën,” – ka deklaruar Ndrecaj.
Ai ka falënderuar nga zemra zjarrfikësit, kompanitë Famis Co, Agrokosova Holding, Gani Transport, shumë kompani të tjera private, qytetarët e shumtë dhe institucionet komunale për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar.
Ndrecaj gjithashtu ka publikuar një video nga vendngjarja, ku dëgjohen zhurmat e qarkut elektrik, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se një shkëndijë elektrike mund të ketë qenë pika fillestare e incidentit.
Lini një Përgjigje