Zjarr në Zonën Industriale të Shirokës, Muharremaj bashkë me zjarrfikësit në aksion(VIDEO)

Sot pasdite, në afërsi të Zonës Industriale në Shirokë, pikërisht pranë nënstacionit të energjisë 110kW të KEDS-it, shpërtheu një zjarr i fuqishëm që u përhap me shpejtësi, duke rrezikuar infrastrukturën energjetike dhe disa biznese të zonës.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të zjarrfikësve, si dhe ndihmës së vetë bizneseve të afërta, u bë e mundur shuarja e flakëve dhe shmangia e dëmeve më të mëdha.

Në vendngjarje ndodhej edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili së bashku me qytetarët dhe ekipet e zjarrfikësve kontribuoi në shuarjen e zjarrit.

Në një prononcim për Radio Vala, kryetari Muharremaj theksoi:

“Duhet t’i dalim në ndihmë çdo biznesi dhe çdo qytetari, pa paragjykime apo mendime të ndryshme. Zjarri është i rrezikshëm dhe secili duhet të japë kontributin e tij, pa dallim partie politike, feje apo komuniteti. Kur bizneset dhe qytetarët kanë nevojë, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të reaguar.”

Aktualisht, situata po monitorohet nga njësitë e zjarrfikësve dhe Policia e Kosovës, për të siguruar që rreziku të jetë plotësisht nën kontroll.