Qendra e Biznesit në Suharekë ka pritur sot në një takim pune përfaqësuesit e Odës Ekonomike Slloveno–Kosovare, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të dy vendeve.
Kryetari i Qendrës së Biznesit, z. Refki Zogaj, ka mirëpritur kryetarin e Odës Ekonomike Slloveno–Kosovare, z. Bajram Fusha, në një takim konstruktiv, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe rëndësia e lidhjes ekonomike ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre sllovene.
Në këtë takim morën pjesë edhe anëtarët e Kryesisë së Qendrës së Biznesit: nënkryetari z. Xhevat Muqa, sekretari z. Arben Kuçi dhe anëtarët z. Beqir Seferaj, z. Gëzim Sadikaj dhe z. Shpejtim Ndrecaj.
Në fjalën e tij hyrëse, z. Zogaj shprehu falënderime për punën e palodhshme që po bën Oda Ekonomike Slloveno–Kosovare në mbështetje të bizneseve, duke theksuar rolin kyç që ajo ka në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.
Nga ana e tij, z. Fusha falënderoi për mikpritjen dhe vlerësoi angazhimin e Qendrës së Biznesit në Suharekë, duke veçuar kontributin e z. Zogaj në ndërlidhjen e bizneseve vendore me ato sllovene, me të cilat bashkëpunimi është ndërtuar dhe zhvilluar ndër vite.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e kontakteve direkte ndërmjet bizneseve dhe panaireve të përbashkëta, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Sllovenisë.
Në fund të takimit u diskutua edhe për mundësinë e pjesëmarrjes së bizneseve nga Suhareka në panairin më të madh bujqësor që do të organizohet në Gornja Radgona të Sllovenisë, i cili pritet të jetë një mundësi e shkëlqyer për ndërmarrjet bujqësore të rajonit për të ndërtuar partneritete të reja dhe për të shkëmbyer përvoja.

















Lini një Përgjigje