Kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hamdi Bytyqi, ka nisur fushatën me vizita nëpër vendbanimet e komunës, duke filluar nga fshatrat Budakovë dhe Bllacë.
Bytyqi së bashku me kryetarin e Qendrës së LVV-së në Suharekë, Jetmir Durmishi, u takuan me banorët e fshatit Budakovë, për një bisedë të hapur mbi shqetësimet, kërkesat dhe nevojat e lagjeve të këtij fshati. Diskutimet u fokusuan në problemet infrastrukturore, bujqësinë dhe shërbimet publike që i preokupojnë qytetarët.

Më pas, kandidati Bytyqi vizitoi fermerin Hysni Guraziu në fshatin Bllacë – një agronom dhe kultivues i përkushtuar i frutave të imta si mjedra, manafera dhe aronia. Vizita kishte për qëllim njohjen me sfidat dhe mundësitë që kanë fermerët lokalë, si dhe potencialin e zhvillimit të bujqësisë në këtë zonë.
“Puna me pasion dhe përkushtim ka bërë që shumë sipërfaqe të papunuara të kthehen në toka të punueshme dhe me rendiment të lartë”, theksoi Bytyqi, duke vlerësuar modelin e punës së fermerit Guraziu.

Vizitat në terren janë pjesë e agjendës së tij për të dëgjuar nga afër qytetarët dhe për të ndërtuar një program qeverisës që reflekton realitetin dhe nevojat e çdo lagjeje të Komunës së Suharekës.
Lini një Përgjigje