Lajm i Jashtëzakonshëm: Fondacioni “Frutex & Golden Eagle” merr përsipër rregullimin e varrit të aktores së madhe Leze Qena

Pas raportimeve të sotme në media mbi gjendjen e papërshtatshme të varrit të ikonës së skenës dhe ekranit shqiptar, Leze Qena, reagimi nuk ka munguar nga Fondacioni Humanitar “Frutex & Golden Eagle”.

Në një deklaratë publike, fondacioni ka bërë të ditur se, në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e aktores së paharruar, do të ndërmarrë të gjitha veprimet për rregullimin dhe sistemimin e plotë të varrit të saj.

“Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e saj të jashtëzakonshëm, Fondacioni ‘Frutex & Golden Eagle’ ka vendosur të marrë përsipër rregullimin dhe sistemimin e plotë të varrit të saj, duke siguruar që Leze Qena të prehet në një vend dinjitoz dhe të denjë për figurën që ajo përfaqësonte,” thuhet në deklaratë.

Kjo nismë e fondacionit vjen si një kujtesë se artistët tanë të mëdhenj nuk duhet të harrohen, as pas largimit të tyre fizik.

Leze Qena, emër i dashur për breza të tërë, mbetet një simbol i artit shqiptar – dhe për të, respekti duhet të jetë i përjetshëm.