EKO THERANDA – Rezultate të dukshme që në ditët e para të punës

Ndërmarrja Publike “Eko Theranda”, ndonëse ka vetëm disa ditë që ka filluar punën, dhe ende jo me kapacitet të plotë, po tregon rezultate shumë të suksesshme. Këtë e dëshmon puna dhe përkushtimi i pandërprerë në terren, në mirëmbajtjen e hapësirave publike në Komunën e Suharekës.

Një shembull konkret i efikasitetit të kësaj ndërmarrjeje është pastrimi dhe kujdesi i treguar pas festimeve të mbrëmshme për Ditën e Çlirimit të Suharekës, më 13 Qershor. Qyteti sot është i pastër dhe i sistemuar, pavarësisht festimeve të shumta në çdo cep të qytetit.

Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, ka shpërndarë një postim në llogarinë e tij në Facebook, ku thekson:
“Mbrëmë festuam, por në mëngjes gjithçka është pastër në hapësirat publike.”
Postimi është shoqëruar edhe me disa fotografi që tregojnë punën në terren.

“Eko Theranda” po dëshmon që misioni i saj për një ambient më të pastër dhe të mirëmbajtur është në rrugë të mbarë.