Kryetari i Komunës z.Bali Muharremaj, ka mirëpritur sot një delegacion të lartë nga bashkitë arbëreshe të Kalabrisë (Itali), në një vizitë miqësore dhe simbolike që pritet të hapë rrugë të reja bashkëpunimi në fushën e kulturës, trashëgimisë dhe zhvillimit ndërkomunal.
Delegacioni ishte i përbërë nga përfaqësues të rëndësishëm institucional dhe kulturor:
- Ernesto Madeo, komisioner i Fondacionit Arbëresh dhe kryetar i Bashkisë San Demetrio Corone,
- Damiano Baffa, kryetar i Bashkisë San Cosmo Albanese,
- Angelo Catapano, kryetar i Bashkisë Frascineto,
- Serena Notaro, kryetare e Këshillit të Bashkisë Caraffa di Catanzaro,
- Giuseppe Rizzo, kryetar i Bashkisë Cerzeto,
- si dhe Valerio Caparelli, gazetar dhe përgjegjës për komunikim në Fondacionin Arbëresh
Gjatë vizitës së tyre, delegacioni është pritur nga Krytari Muharremaj, dhe udhëheqës të Komunës së Suharekës, të cilët shprehën mirënjohje dhe vlerësim të thellë për këtë vizitë me domethënie të madhe historike dhe kulturore. U theksua rëndësia e lidhjeve të trashëguara ndër shekuj mes shqiptarëve të Kosovës dhe komuniteteve arbëreshe në Itali, të cilat e kanë ruajtur me krenari gjuhën, traditat dhe identitetin e tyre kombëtar.
“Kjo vizitë është një nder për komunën tonë dhe një shans për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi mes dy realiteteve që ndajnë të njëjtat rrënjë,” u tha gjatë takimit. Përfaqësuesit arbëresh gjithashtu shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të forcuar lidhjet institucionale, përmes projekteve të përbashkëta në fushën e kulturës, edukimit, zhvillimit lokal dhe turizmit kulturor.
Në këtë frymë, u përmend edhe nevoja për një bashkëpunim të strukturuar, që do të lehtësojë shkëmbimin e përvojave mes komunave, si dhe krijimin e rrjeteve të qëndrueshme ndërmjet institucioneve, komuniteteve dhe organizatave të të dy vendeve.
Në përfundim të vizitës, u shpreh bindja se kjo do të jetë vetëm fillimi i një marrëdhënieje më të afërt, me ndikim pozitiv për qytetarët e të dyja palëve. Shkëmbimi i përvojave në qeverisje lokale, promovimi i trashëgimisë kulturore dhe ndërlidhja e komuniteteve përmes aktiviteteve konkrete, do të jenë në fokusin e këtij partneriteti të ri.
Kryetari i Komunës z.Bali Muharremaj, falënderon me përzemërsi delegacionin arbëresh për vizitën dhe kontributin në ndërtimin e një urë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet popullit shqiptar dhe diasporës sonë historike në Kalabri.







Lini një Përgjigje