Albulena Kokollari: Ekspozita përkujtimore “Në hapat e tyre të lirisë” është një thirrje e heshtur që flet më shumë se çdo fjalë

Në hapësirat e jashtme të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë, u hap dje ekspozita përkujtimore “Në hapat e tyre të lirisë”, kushtuar fëmijëve dhe të rinjve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Albulena Kokollari, e cila në fjalën e saj përshëndetëse tha:

“Ekspozita përkujtimore ‘Në hapat e tyre të lirisë’ është një thirrje e heshtur që flet më shumë se çdo fjalë. Ajo na kujton se liria jonë nuk erdhi lehtë – ajo u pagua me jetën e më të pafajshmëve, fëmijëve që s’arritën të rriten, që s’arritën të ëndërrojnë, e që u bënë simbol i dhembjes dhe i qëndresës sonë kolektive.
Si një vajzë e lindur në mes të luftës, sot ndjej detyrimin të jem zë për ata që nuk patën mundësi të rriten dhe të flasin.
Në emër të tyre, ne duhet të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë – një vend ku e kaluara nuk mohohet, por nderohet me dinjitet; ku dhimbja nuk heshtet, por shndërrohet në forcë dhe në kujtim të përjetshëm.
Lavdi jetës së tyre të ndërprerë padrejtësisht. Lavdi fëmijëve dhe të rinjve të Suharekës që u vranë dhe u zhdukën gjatë luftës së viteve 1998-1999.”

Përveç përfaqësuesve të institucioneve lokale dhe qytetarëve, në ekspozitë ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, si dhe përfaqësues të partive politike dhe familjarë të fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur.