Pjesë të mëdha të Qeverisë amerikane mund të mbyllen përkohësisht më 1 tetor nëse Kongresi nuk miraton projektligjin e shpenzimeve për shkak të një mospajtimi midis republikanëve të ekstremit të djathtë dhe ligjvënësve të tjerë.
Në këtë tekst mund të mësoni disa fakte për mbylljen e Qeverisë amerikane:
se do të mbyllej Qeveria?
Kongresi duhet të ndajë fonde për 438 agjenci qeveritare çdo vit fiskal, i cili përfundon më 30 shtator. Nëse ligjvënësit nuk i miratojnë këto fonde para se të nisë viti i ri fiskal, këto agjenci nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë të funksionojnë normalisht.
Që nga vitet ’70 kanë ndodhur 20 mbyllje të Qeverisë, sipas të dhënave të Shërbimit të Kërkimeve të Kongresit. Mbyllja e fundit ishte edhe më e gjata, që zgjati për 35 ditë nga dhjetori i vitit 2018 deri në janar të vitit 2019, pas një mosmarrëveshjeje për sigurinë kufitare.
Ligjvënësit shpesh e kanë shtyrë përkohësisht këtë afat duke zgjatur nivelet e financimit të agjencive përmes një rezolute që mundëson vazhdimin e negociatave.
Cili është ndikimi?
Në rast të një mbylljeje, qindra mijëra punonjës federalë do të dërgoheshin në pushim pa pagesë dhe një gamë shërbimesh do të ndërpritej: prej aplikimit për pasaportë e deri te mbledhja e mbeturinave në parqet kombëtare.
Punëtorët e tjerë që konsiderohen “esencialë” do të vazhdonin të punonin, megjithëse pa pagesë. Shërbimet, sikurse dërgesat me postë, mbledhja e taksave dhe pagesat për borxhin e SHBA-së, do të vazhdonin gjatë mbylljes së Qeverisë.
Mbylljet që zgjasin vetëm për disa ditë do të kishin pak ndikim praktik, veçanërisht nëse do të ndodhin gjatë fundjavave, por ekonomia do të mund të vuante nëse punonjësit federalë nuk do të paguheshin pas dy javësh.
Mbyllja e Qeverisë mundet që drejtpërdrejt të ulë rritjen e Bruto Prodhimit të Brendshëm (GDP) për rreth 0.15 pikë të përqindjes për çdo javë që zgjatë, sipas Goldman Sachs, por rritja mund të jetë në të njëjtin nivel nëse çështja e mbylljes do të zgjidhej.
Mbyllja e Qeverisë më 2018-2019 i kushtoi ekonomisë amerikane rreth 3 miliardë dollarë apo 0.02 për qind të GDP-së, sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit.
Cilat funksione konsiderohen “esenciale”?
Çdo departament dhe agjenci ka një plan emergjent që përcakton se cilët punonjës duhet të vazhdojnë të punojnë pa pagesë.
Gjatë mbylljes së 2018-2019 afërsisht 800.000 nga 2.2 milionë punonjës të Qeverisë federale u larguan nga puna. Zyra e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë nuk tregoi se sa punonjës do të prekeshin nëse edhe kësaj radhe do të ketë mbyllje të Qeverisë.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se në rast të mbylljes do të mbajë në punë 227.000 nga 253.000 punonjësit që ka, përfshirë edhe agjentët e sigurisë kufitare dhe Rojet Bregdetare.
Departamenti i Drejtësisë tha se në planin e tij emergjent të vitit 2021 është përcaktuar se 85 për qind e 116.000 punonjësve të tij konsiderohen esencialë, përfshirë këtu stafin e burgjeve dhe prokurorët. Në rast të një mbylljeje të Qeverisë, proceset penale të vazhdonin edhe pse shumica e rasteve civile do të ndërpriteshin.
Në rast të mbylljes së Qeverisë, fluturimet do të vazhdonin relativisht të papenguara, por në mbylljet e mëhershme Administrata e Sigurisë së Transportit kishte paralajmëruar se mund të rritet numri i punonjësve të cilët nuk shkojnë në punë, duke u arsyetuar se janë të sëmurë.
Nuk është e qartë nëse 63 parqet kombëtare në Shtetet e Bashkuara do të qëndronin të hapura. Gjatë mbylljes më 2013, administrata e presidentit të atëhershëm, Barack Obama, mbylli parqet për shkak të shqetësimeve të sigurisë, duke bërë që të ketë humbje prej 500 milionë dollarësh. Në mbylljen më 2018-2019 administrata e Donald Trumpit i mbajti të hapura, por mbylli tualetet publike dhe pikat informuese. Disa shtete, sikurse Nju Jorku dhe Utah, kishin paguar që t’i mbanin të hapura parqet, por edhe pagat e punonjësve gjatë mbylljes më 2018-2019.
Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme në të kaluarën ka pushuar nga puna deri në 90 për qind të stafit, por 100 për qind të punëtorëve të tij konsiderohen esencialë sipas planit të emergjencave të këtij institucioni.
Në rast të një mbylljeje, i gjithë personeli ushtarak do të punonte, por pothuajse 429.000 punëtorë civilë që punojnë në Pentagon do të largoheshin.
Si dallon mbyllja e ekzekutivit nga mosmarrëveshja për tavanin e borxhit?
Mbyllja ndodh kur Qeveria amerikane nuk ka më para të alokuara në buxhetin e saj nga Kongresi.
Tavani i borxhit është një kufi që vendoset nga Kongresi. Ai përcakton se sa para mund të marrë hua Qeveria amerikane dhe kjo shifër duhet të rritet në mënyrë periodike.
Dështimi për ta bërë këtë mund të bëjë që Departamenti amerikan i Thesarit të mos jetë në gjendje të paguajë borxhet. Për dallim nga mbyllja e Qeverisë, falimentimi për shkak të tavanit të borxhit ka të ngjarë të ketë pasoja më serioze, duke tronditur tregjet financiare në botë dhe duke e zhytur SHBA-në në recesion.
Nganjëherë, Kongresi pa bërë zhurmë rrit tavanin e borxhit, e nganjëherë ligjvënësit e shfrytëzojnë atë për të nxitur debate për politikat fiskale para se të rrisin borxhin në momentet e fundit, ashtu siç bënë në qershor.
Lini një Përgjigje