Sadik Halitjaha rrezikon aktakuzën, pretendohet se urdhëroi rrëmbimin e tri grave

Mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson, ka thënë se dëshmitari Sadik Halitjaha është “bashkëkonspirues pa aktakuzë” dhe pretendohet se ai ka urdhëruar rrëmbimin e tri grave që janë familjare të dëshmitarëve, të cilat më pas janë gjetur të vdekura.

Duke theksuar se ky dëshmitar mund të jap informacione të cilat mund të jenë vetëinkriminuese, Emmerson ka propozuar që t’ia lejojë të këshillohet me ndonjë avokat para se të nisë dëshminë, raporton Insajderi.

“Sikurse mund të dini i nderuar gjykatës, ky dëshmitar citohet si atë në Amerikë e quani bashkëkonspirues pa aktakuzë dhe kjo shtjellohet më tej në paragrafin 155 të aktakuzës dhe shtjellohet më tej në paragrafin 329 të dosjes së gjykimit paraprak të Prokurorisë. Ajo ka të bëjë me një incizim që e keni çuar edhe më herët dhe lidhet me një pretendim që ky dëshmitar ka urdhëruar rrëmbimin e tri anëtarëve të familjeve të dëshmitarëve, tri gra të cilat janë gjetur të vdekura”, tha Emmerson.

Nga ana tjetër prokurori, James Pace deklaroi se dëshmitarit iu është bërë me dije një gjë e tillë dhe se i njëjti ka hequr dorë nga e drejta për të pasur avokat.

Pace bëri të ditur se Halitjaha do të japë informacione lidhur me vartës të ndryshëm të UÇK-së si dhe do të flasë për njohuritë e tij lidhur me krimet e pretenduara.