Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se sot në vend do të mbajë mot kryesisht i vranët, me reshje shiu në disa zona.
Sipas parashikimit, temperaturat minimale do të lëvizin nga 4 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 16 deri në 19 gradë. Era do të fryjë nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi prej 1 deri në 3 metra në sekondë.
Ndërkohë, faqja meteorologjike MeteoKosova ka paralajmëruar për fuqizim të erërave nga jugperëndimi, si pasojë e afrimit të ciklonit “Charles” drejt rajonit tonë.
Sipas këtij parashikimi, erërat në momente të caktuara mund të arrijnë intensitet të stuhisë së fortë, veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit, ku hove të erës mund të shkojnë deri në 80 kilometra në orë.
Erërat e fuqishme mund të shkaktojnë dëme lokale, si thyerje të degëve të mëdha, rrëzim të pemëve të dobëta, si dhe dëmtime në çati, sera dhe struktura të tjera të lehta.
Reshje intensive dhe mundësi për përmbytje lokale
Situata pritet të përkeqësohet gjatë orëve të mbrëmjes, kur parashikohet intensifikim i reshjeve, kryesisht në pjesën veriore të Kosovës.
Afrimi i ciklonit “Charles” pritet të sjellë reshje intensive, shkarkesa rrufesh dhe mundësi për breshër të vogël. Gjatë mbrëmjes dhe pas mesnatës, reshjet pritet të zhvendosen gradualisht drejt pjesës jugore të vendit.
Për shkak të intensitetit dhe kohëzgjatjes së reshjeve në disa zona, ekziston mundësia e paraqitjes së përmbytjeve lokale.
Paralajmërime edhe në Shqipëri
Për mot të paqëndrueshëm ka paralajmëruar edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në Shqipëri, e cila ka bërë të ditur se priten reshje mesatare deri në shumë intensive në disa qarqe të vendit.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së 12 nëntorit reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata, janë parashikuar në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Ndërsa për 13 nëntor, reshje intensive deri lokalisht shumë intensive priten në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Qytetarëve u rekomandohet të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj erërave të fuqishme dhe pranë përroskave e lumenjve, për shkak të mundësisë së vërshimeve lokale.














Lini një Përgjigje