Ramë Lahaj sjell këngën shqipe në Shën Petersburg: kultura shqiptare në skenat ndërkombëtare(Video) /

Këngëtari i mirënjohur ndërkombëtarisht, Ramë Lahaj, ka vazhduar misionin e tij për promovimin e kulturës dhe vlerave shqiptare në skenat botërore, kësaj radhe me një paraqitje artistike në Shën Petersburg të Rusisë, në muajin maj 2025.

Përmes interpretimit të këngës tradicionale “Bishtalecat Pale Pale”, Lahaj solli para publikut ndërkombëtar pasurinë e muzikës dhe fjalës shqipe, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e artit shqiptar për të komunikuar përtej kufijve gjuhësorë e kulturorë.

Gjatë viteve të fundit, kënga shqipe, e interpretuar nga Ramë Lahaj, ka udhëtuar në disa kontinente dhe ka qenë pjesë e teatrove dhe orkestrave prestigjioze në mbarë botën, duke u shndërruar në një përfaqësuese dinjitoze të identitetit kulturor shqiptar.

Vetë artisti ka theksuar se promovimi i kulturës kombëtare përbën një nga përmbushjet e tij më të mëdha profesionale, duke nënvizuar lidhjen shpirtërore dhe emocionale që ka me gjuhën shqipe, të cilën e konsideron themel të identitetit dhe trashëgimisë sonë ndërbrezore.

Paraqitja e Ramë Lahajt në Shën Petersburg vlerësohet si një tjetër sukses i rëndësishëm në rrugëtimin e tij artistik dhe një kontribut i çmuar në afirmimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.