Ramadani: Duart e korruptuara do të shkurtohen, korrupsioni është veç vullnetar

Eksperti i sigurisë dhe njëherit kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj fenomenit të korrupsionit, duke theksuar se ai nuk ndodh me detyrim, por është rezultat i vullnetit personal të individëve që përfshihen në të.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se askush nuk mund të korruptohet me zor dhe se përgjegjësia për veprimet korruptive bie drejtpërdrejt mbi ara që i pranojnë ato.

“Duart e korruptuara do të shkurtohen! Korrupsioni është veç vullnetar. Secili duhet ta dijë: korrupsioni është veç vullnetar. Veç vullnetarisht mund të korruptohesh. Askush nuk të korrupton me zor. Askush nuk t’i shtin paratë me zor (në xhep), akush nuk ta shtin anëtarin e familjes në punë me zor, akush nuk ta kryen një favor – veç për qejfin tënd! Duart e korruptuara do të shkurtohen! “, ka shkruar Ramadani.

Ndryshe Burim Ramadani garon për deputet me numrin 11 nga lista e AAK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit.