Njësia Anti-Drogë e Prizrenit zhvillon aksion në Suharekë, bastisje në disa lokacione /

Njësia Anti-Drogë e Policisë së Kosovës nga Prizreni ka zhvilluar sot një aksion policor në territorin e Komunës së Suharekës, në kuadër të hetimeve që lidhen me dyshime për posedim dhe shpërndarje të narkotikëve.

Burime të besueshme nga struktura të afërta me hetimin bëjnë të ditur se operacioni po realizohet mbi bazën e informatave konkrete të siguruara nga burime operative dhe inteligjenca policore, të cilat kanë ngritur dyshime serioze për veprimtari të kundërligjshme në disa lokacione të caktuara.

Sipas këtyre burimeve, njësitë policore kanë kryer bastisje të targetuara, me fokus kryesor gjetjen dhe sekuestrimin e substancave narkotike, si dhe identifikimin e personave të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari ilegale.

Aktualisht, nuk ka ende informacione zyrtare për arrestime, mirëpo aksioni është ende në zhvillim.

Nuk përjashtohet mundësia e ndalimeve gjatë orëve në vijim, varësisht nga rezultatet e bastisjeve dhe provat e mbledhura në terren.