Nga vizioni në realitet: Muharremaj bashkon forcat me Odën e Arkitektëve për një Suharekë moderne

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka nënshkruar sot Memorandumin e Bashkëpunimit me Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga kryetari Uran Kyçyku.

Ky memorandum vendos bazat e një bashkëpunimi të rëndësishëm në fushën e planifikimit hapësinor, arkitekturës dhe zhvillimit urban të qëndrueshëm në Komunën e Suharekës. Nëpërmjet tij, do të shfrytëzohet ekspertiza e OARK-së dhe përkushtimi i Komunës për të garantuar zbatimin e praktikave më të mira në këto fusha.

Bashkëpunimi parasheh:
Hartimin e planeve strategjike komunale, multidisiplinare e gjithëpërfshirëse;
Organizimin e konkurseve profesionale për projektim arkitektonik dhe urban;
Hartimin e kritereve profesionale për projektet dhe konkurset publike;
Promovimin e transparencës, profesionalizmit dhe cilësisë në arkitekturë dhe urbanizëm;
Ofrimin e asistencës dhe ekspertizës profesionale sipas nevojës;
Zhvillimin e projekteve të përbashkëta për përmirësimin e infrastrukturës publike dhe cilësisë së jetesës në Suharekë.

“Kjo është një hap i madh përpara për Suharekën, që të avancojë me shërbime profesionale, cilësi dhe zbatim të projekteve në të ardhmen,” u shpreh kryetari Muharremaj.