Kryetari Muharremaj nderon mërgimtarët me emblemen e Komunës së Suharekës

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin, sakrificën dhe përkushtimin e palodhur që bashkatdhetarët tanë japin për zhvillimin e Komunës së Suharekës, Kryetari Bali Muharremaj ka nderuar disa nga mërgimtarët me emblemen e Komunës, si simbol nderimi për të gjithë mërgimtarët tanë.

Në këtë ceremoni simbolike, kryetari Muharremaj theksoi:

“Ata kanë punuar me shpirt për vendlindjen dhe familjet e tyre. Secili prej tyre e ka ndërtuar me djersën e ballit mirëqenien për familjen dhe i kanë dhënë frymëzim Kosovës. Ju jeni pjesë e zemrës sonë, të së tashmes dhe të së ardhmes që po e ndërtojmë bashkë. Komuna e Suharekës me emblemen e saj ju nderon dhe respekton për kontributin tuaj.”

Ky nderim është pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen në kuadër të DiaFest 2025, një ngjarje festive që i kushtohet mërgatës sonë dhe organizohet nga Komuna e Suharekës.