Komandanti i Brigadës Perëndimore të KFOR-it dhuron donacion për Njësitin e Zjarrfikësve në Suharekë

Suharekë, 29.04.2025 – Komandanti i Brigadës Perëndimore të KFOR-it, kolonel Francesco Errico, sot ka vizituar Komunën e Suharekës, ku është pritur nga kryetari i komunës, z. Bali Muharremaj. Gjatë takimit, ata diskutuan për çështje të rëndësishme që ndërlidhen me mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve.

Në kuadër të kësaj vizite, kolonel Errico dhuroi një donacion të rëndësishëm për Njësitin e Zjarrfikësve në Suharekë. Me këtë rast, shefi i zjarrfikësve, z. Vebi Krasniqi, falënderoi përzemërsisht për mbështetjen, duke theksuar se kjo ndihmë do të rrisë ndjeshëm kapacitetet dhe gatishmërinë e njësisë për ndërhyrje në raste zjarresh dhe emergjencash të tjera.

Koloneli Errico gjithashtu përgëzoi Komunën e Suharekës për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve. Ai shprehu mirënjohjen e tij edhe për Njësitin e Zjarrfikësve, duke vlerësuar lart përkushtimin dhe profesionalizmin që tregojnë në çdo situatë emergjente.