Derbi i javës së dytë të ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll i takoi skuadrës GO+ Peja, e cila arriti të triumfojë ndaj Golden Eagle Yllit në Therandë me rezultat 76:71 (21:13, 14:27, 23:19, 18:12).
Ndeshja nisi më mirë për pejanët, të cilët me një seri të shpejtë 10:2 morën kontrollin e lojës dhe e mbyllën çerekun e parë me epërsi 21:13.
Në çerekun e dytë, therandasit reaguan fuqishëm, duke kaluar përkohësisht në epërsi 27:28, ndërsa pjesa e parë u mbyll në favor të Yllit me rezultat 35:40.
Pjesa e dytë solli rivalitet të madh dhe shumë kthesa në rezultat. Çereku i tretë përfundoi me shifrat e ngushta 58:59, duke bërë që gjithçka të vendosej në minutat e fundit të takimit.
Në momentet vendimtare, GO+ Peja tregoi më shumë përqendrim dhe përvojë, duke siguruar fitoren e dytë radhazi në kampionat me rezultatin përfundimtar 76:71.
Te fituesit u dalluan Alan Herndon me 13 pikë dhe 10 kërcime, si dhe Malcolm Armstead me 18 pikë dhe 7 asistime.
Në anën tjetër, për Golden Eagle Yllin, më efikasët ishin Brandon Huffman me 15 pikë e 9 kërcime dhe Larry Thomas me 17 pikë e 8 kërcime.
Kjo ishte fitorja e dytë për GO+ Pejën, që po e nis sezonin me formë solide, ndërsa për Golden Eagle Yllin kjo ndeshje shënon humbjen e dytë radhazi në kampionat.

















Lini një Përgjigje