Dëmtohen shtyllat e basketbollit në poligonin sportiv, reagon kryetari Muharremaj /

Pas dëmtimit të shtyllave të basketbollit në fushat e poligonit sportiv në Suharekë, ka reaguar kryetari i Komunës, Bali Muharremaj.

“Sinqerisht, në këto raste të vandalizmave mbetem pa fjalë. Nuk e di kujt i konvenon, me pa veç zi dhe me shkatërru gjithçka. Megjithatë, vullneti ynë për punë dhe realizim të projekteve është më i madh se sa tendenca e dikujt për të shkatërruar hapësira publike,” ka deklaruar Muharremaj, duke ftuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për këtë akt.

Ai theksoi gjithashtu se pavarësisht këtyre sfidave, “punën nuk e ndalim.”

Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe subjektet opozitare në Suharekë. LDK dhe LVV kanë ngritur kritika për punimet e dobëta, por sipas fotografive të publikuara, shihet qartë se dëmtimi është bërë me forcë të madhe dhe i qëllimshëm mbi shtyllat e basketbollit.

Ky akt vandalizmi ka ngjallur reagime të shumta, duke rihapur debatin mbi ruajtjen dhe mbrojtjen e hapësirave publike në komunë.