Në Suharekë po qarkullojnë raportime për një mundësi bashkëpunimi mes LDK-së dhe PDK-së para balotazhit të 9 nëntorit, që do të përcaktojë kryetarin e ardhshëm të komunës.
Në rrjetet sociale është publikuar një fotografi ku shihet Blerim Kuçi së bashku me Sami Lushtakun, gjë që ka nxitur reagime dhe spekulime për një koalicion të mundshëm ndërmjet dy subjekteve politike.
Kujtojmë se Blerim Kuçi, ish-kryetar i Suharekës dhe ish-anëtar i AAK-së, para rreth gjashtë muajsh iu bashkua LDK-së, me qëllim që të mbështeste kandidatin Ardian Shala në zgjedhjet lokale. Megjithatë, pas raundit të parë të votimeve, komuna e Suharekës ka hyrë në balotazh, ku Bali Muharremaj kryeson me një epërsi rreth 15 për qind ndaj kandidatit të LDK-së, Ardian Shala.
Takimi i dy figurave të njohura, Lushtakut dhe Kuçit, është parë nga disa si përpjekje për të siguruar mbështetje politike në prag të balotazhit, ndërsa të tjerë e kanë interpretuar si takim miqësor pa prapavijë politike.
Megjithatë, asnjëra nga partitë, PDK apo LDK, nuk kanë konfirmuar zyrtarisht ndonjë marrëveshje apo bashkëpunim për balotazhin në Suharekë.
Të gjitha mbeten për t’u parë më 9 nëntor, kur qytetarët e Suharekës do të vendosin se kush do ta udhëheqë komunën për katër vitet e ardhshme.


















Lini një Përgjigje