Ambasadori britanik vlerëson zhvillimin ekonomik të Suharekës

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar pas vizitës së tij të sotme në Suharekë, ku u prit në takim nga Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj.

Ai e cilësoi Suharekën si një nga ekonomitë lokale udhëheqëse në Kosovë dhe një shembull të fuqishëm të bashkëpunimit efektiv ndërmjet qeverisjes lokale dhe bizneseve vendore.

Sipas ambasadorit Hargreaves, ky bashkëpunim ka sjellë projekte infrastrukturore të suksesshme dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në performancën e fortë ekonomike të komunës. Ai theksoi se ishte kënaqësi të dëgjonte nga afër pikëpamjet e Kryetarit Muharremaj lidhur me zhvillimin ekonomik, si dhe vizionin e tij për avancimin e turizmit në Suharekë.

Në deklaratën e tij, ambasadori Hargreaves vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve të forta ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, duke e përshkruar Suharekën si një model të zhvillimit të qëndrueshëm lokal dhe një nga qytetet më të zhvilluara në vend.