Suharekë: Një person plagoset rëndë nga të shtënat me armë zjarri, i dyshuari në arrati

Një person ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Suharekës.

Sipas informacioneve zyrtare të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:20, kur një person i panjohur dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një mashkulli.

Si pasojë e të shtënave, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është transportuar me urgjencë në Emergjencë për trajtim mjekësor.

Ndërkohë, i dyshuari ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia e Kosovës është vënë në kërkim të tij.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim, ndërsa priten informacione të tjera nga organet kompetente.

Radio Vala 98.3 FM – www.radiovala.net