Vizitë edukative në IP “Fluturat”: fëmijët njihen me profesionin e mjekut dhe kujdesin për shëndetin /

Përfaqësues të shëndetësisë kanë realizuar një vizitë edukative në Institucionin Parashkollor “Fluturat”, ku kanë kaluar momente të këndshme dhe të ngrohta me fëmijët.

Gjatë vizitës, fëmijët u njohën me profesionin e mjekut dhe infermierit, si dhe me pajisjet bazë mjekësore, përmes një qasjeje miqësore dhe argëtuese. Ata u mësuan se mjekët nuk janë vetëm ata që japin injeksione, por edhe profesionistë që ofrojnë përkujdesje, siguri, buzëqeshje dhe ngrohtësi njerëzore.

Po ashtu, u organizuan aktivitete të thjeshta dhe interaktive rreth mirëmbajtjes së shëndetit, ku fëmijët u informuan për rëndësinë e higjienës dhe ushqimit të shëndetshëm, duke përcjellë mesazhin se kujdesi për shëndetin fillon që në moshë të vogël.

Vizita u vlerësua si një përvojë e bukur dhe edukative, ndërsa falënderime të veçanta u shprehën për pritjen e ngrohtë dhe buzëqeshjet e sinqerta të fëmijëve dhe stafit të institucionit.