Urim me rastin e Muajit të Ramazanit nga Haki ef. Hoxha /

Me rastin e ardhjes së Muajit të Ramazanit, Kryetari i Këshilli i Bashkësisë Islame në Suharekë, Haki ef. Hoxha, u ka përcjellë urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë, adhurim të pranuar dhe begati në familjet e tyre.

Ai theksoi se Ramazani është muaj i mëshirës, faljes dhe shpëtimit nga zjarri, muaj i Kur’anit, i sakrificës dhe i përkushtimit të shtuar në adhurim. Sipas tij, në këtë muaj zemrat zbuten, shpirtrat pastrohen dhe besimtari e ndien më afër se kurrë praninë e mëshirës së Allahut të Madhëruar. Agjërimi, theksoi ai, nuk është vetëm ndalim nga ushqimi dhe pija, por edukim i shpirtit, forcim i durimit dhe disiplinim i vetvetes.

Kryetari Hoxha ka bërë thirrje që ky muaj të shfrytëzohet për afrimin me Krijuesin, për shtimin e namazit, leximin e Kur’anit, dhënien e sadakasë dhe përkujdesjen ndaj atyre që janë në nevojë. Po ashtu, ai ka theksuar rëndësinë e pajtimit, faljes dhe forcimit të lidhjeve familjare e shoqërore.

“Në një kohë sfidash e vështirësish, Ramazani na mëson solidaritetin, mirëkuptimin dhe dashurinë për njëri-tjetrin. Allahu na mundësoftë ta përjetojmë këtë muaj me iman të fortë dhe ta përmbyllim me zemra të pastruara dhe të mbushura me dritë”, thuhet në urimin e tij.