U promovua libri “Maçiteva – ndërmjet legjendës dhe realitetit” i autorit Abdyl Hajradini në Suharekë

Në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë, u mbajt ceremonia promovuese e librit monografik “Maçiteva – ndërmjet legjendës dhe realitetit”, i autorit Abdyl Hajradini.

Ky botim i veçantë, që hedh dritë mbi historinë, trashëgiminë dhe figurat emblematike të fshatit Maçitevë, u prit me interes të madh nga opinioni kulturor e publik në komunën e Suharekës dhe më gjerë.

Në këtë ngjarje kulturore morën pjesë shumë personalitete nga jeta politike, akademike, kulturore dhe letrare. Në mesin e të pranishmëve ishin:

  • Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj,
  • Recensentët e librit: prof. dr. Ramë Buja dhe Kadri Kryeziu,
  • Familjarët e dëshmorit Besim Nreca, figura emblematike e Maçitevës,
  • Dr. Ibish Ahmeti
  • Banush Imeri, kryetar i Forumit të Intelektualëve nga Shtimja,
  • si dhe emra të njohur të artit e letrave si: Fehmi Hysenaj, Bislim Elshani, Xhemshir Rashiti, Ruzhdi Jashari, Sejdi Elezi, Halil Krasniqi etj.

Të pranishëm ishin gjithashtu edhe përfaqësues institucionalë dhe arsimorë si:

  • Drejtori i DKA-së në Suharekë, z. Remzi Bajselmani,
  • Drejtori i Shkolles Fillore Besim Ndrecaj nga Maçiteva, Elmi Aliu,
  • Përfaqësuesi i DKA-së nga Shtimja, Lulzim Sahiti,
  • si dhe një numër poetësh e krijuesish: Refki Reshitaj, Rabije Bytyçi, Shaip Ademaj, Safet Syla, dhe të tjerë.

Në emër të autorit, z. Abdyl Hajradini, u shpreh një falënderim i veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, për përkrahjen, vlerësimet dhe fjalët inkurajuese gjatë promovimit.

“Pjesëmarrja e juaj, përgëzimet dhe vlerësimet që mora nga të gjithë ju, më bëjnë nder dhe më motivojnë për të vazhduar më tej në rrugën e dokumentimit e ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore,” – tha autori në fjalën e tij para të pranishmëve.

Promovimi i librit “Maçiteva – ndërmjet legjendës dhe realitetit” shënon një tjetër gur të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit historik dhe etnografik të fshatrave të komunës së Suharekës dhe është një dëshmi e përkushtimit të autorit për të ndriçuar rrënjët tona kombëtare.