U promovua libri historik dhe arkeologjik “Shpalime Historike” i profesor Fadil Bytyqit

Mbrëmë u mbajt ceremonia e promovimit të librit studimor “Shpalime Historike”, autor i të cilit është profesori Fadil Bytyqi, një vepër me vlerë të veçantë në fushën e historisë dhe arkeologjisë.

Ngjarja u zhvillua në prani të miqve, familjarëve dhe dashamirëve të shumtë të librit dhe shkencës, të cilët me pjesëmarrjen e tyre i dhanë këtij promovimi një atmosferë të veçantë dhe dinjitoze.

Gjatë promovimit, u shpalosën analiza dhe vlerësime profesionale rreth përmbajtjes dhe rëndësisë së librit. Një falënderim i veçantë iu drejtua redaktorit të veprës, prof. dr. Sedat Kryeziut, si dhe recenzentit prof. dr. Jahja Drançollit, i cili, për shkak të pamundësisë për të qenë fizikisht i pranishëm, recenzën e tij e përcolli përmes leximit nga studentja Sahide Bytyçi.

Po ashtu, me diskutime dhe fjalë rasti kontribuuan edhe Blerim Kuçi, Burim Ramadani, Dreneta Berisha dhe prof. Nuhi Bytyçi, të cilët theksuan rëndësinë shkencore dhe dokumentare të librit “Shpalime Historike”.

Autori, prof. Fadil Bytyqi, falënderoi nga zemra të gjithë të pranishmit për kohën dhe përkrahjen e tyre, duke e cilësuar këtë promovim si një moment të veçantë në rrugëtimin e tij akademik dhe shkencor.