Në Suharekë është mbajtur takimi i radhës i Këshillit të Koordinimit Lokal për Siguri, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, Policisë së Kosovës dhe akterë tjerë relevantë.
Takimin e ka kryesuar znj. Mihrije Suka, nënkryetare e Komunës së Suharekës, e cila informoi pjesëmarrësit mbi aktivitetet e zhvilluara gjatë dy javëve të fundit. Ajo veçoi aktivitetet e organizuara për shënimin e Ditës së Çlirimit – 13 Qershorit, duke theksuar rëndësinë e këtij përvjetori për qytetarët dhe institucionet lokale.
Gjendjen e sigurisë në territorin e Komunës e paraqiti rreshteri Sami Veselaj nga Stacioni Policor në Suharekë. Ai e vlerësoi situatën si të qetë dhe stabile, megjithatë theksoi shqetësimin për shtimin e rasteve të aksidenteve në komunikacion, të cilat kanë ndikuar në cenimin e sigurisë rrugore.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Policia, gjatë dy javëve të fundit janë shqiptuar gjithsej 542 tiketa për kundërvajtje në trafik dhe janë ekzekutuar 26 urdhëresa nga gjykatat kompetente.
Pjesëmarrësit në takim u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme në Komunën e Suharekës.
Lini një Përgjigje