Tre oficerë të FSK-së përfundojnë me sukses trajnimin rifreskues në Turqi

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Republikën e Turqisë, oficerët major Afrim Zabeli, kapiten Atdhe Hasani dhe kapiten Krenar Voca kanë përfunduar me sukses trajnim rifreskues me helikopter në Shkollën e Aviacionit Tokësor në Isparta, Turqi.

Ky trajnim siç thuhet në njoftimin e FSK-së në Facebook, nuk ishte thjesht një përditësim teknik, por një përforcim i përgjegjësisë së madhe që këta pilotë mbajnë çdo ditë.

Gjatë periudhës së trajnimit, ata zhvilluan dhe përmirësuan aftësitë e tyre përmes fluturimeve praktike, duke përfshirë skenarë emergjentë dhe taktike, transmeton Klankosova.tv. 

Gjithashtu, oficerët patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja profesionale me kolegët e Forcave të Armatosura të Turqisë, duke dëshmuar standardin e lartë që përfaqëson Forca e Sigurisë së Kosovës në angazhimet ndërkombëtare.

“Republika e Turqisë në vazhdimësi ka dhënë kontributin e saj në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në fusha të ndryshme, dhe me këtë raste mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e kapaciteteve tona ajrore, përmes bashkëpunimeve të tilla, ne rrisim ndërveprueshmërinë me partnerët tanë dhe forcojmë themelet e një ushtrie moderne, të aftë dhe të përgatitur”, thuhet tutje në postim.