Sukses historik për sportin ajror të Kosovës në Kampionatin Botëror të Paragllajdizmit /

Një tjetër sukses i madh është shënuar për sportin ajror të Kosovës.
Ekipi i paragllajdistëve tanë ka shkëlqyer në Kampionatin e 13-të Botëror të Paragllajdizmit, i mbajtur në Alanya të Turqisë, duke e mbyllur garën me dy medalje të bronzta dhe duke u renditur në vendin e tretë ekipor në mesin e 36 shteteve pjesëmarrëse.

Ky rezultat është vlerësuar si një arritje historike për sportin e paragllajdizmit në Kosovë, duke dëshmuar potencialin dhe përkushtimin e sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare.

Në këtë ngjarje madhore, pjesë e ekipit të Kosovës ishin edhe paragllajdistët nga Suhareka, Avni Kuçi dhe Veton Sylaj, të cilët dhanë një kontribut të çmuar në suksesin ekipor të përfaqësueses sonë.

Federata e Sporteve Ajrore të Kosovës ka përgëzuar ekipin për paraqitjen dinjitoze dhe përfaqësimin e denjë të vendit në këtë kampionat botëror, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i një rruge të suksesshme për sportet ajrore në vend.