Suhareka inauguron poligonin më modern sportiv – Investim prej mbi gjysmë milioni euro falë mbështetjes suedeze(video)

Në një atmosferë festive dhe emocionuese, u përurua zyrtarisht poligoni i ri sportiv në zonën e ish-Tregut Javor të qytetit të Suharekës – një investim i shumëpritur që tashmë u bë realitet falë bashkëpunimit mes Komunës së Suharekës dhe Ambasadës së Suedisë.

Ceremonia madhështore mblodhi qindra qytetarë, sportistë dhe përfaqësues të klubeve sportive vendore si: Ballkani, Suhareka, Atletika, Klubi i Tenisit, Gjinoci (volejboll) dhe KB Ylli – të cilët mirëpritën me entuziazëm këtë hap të ri në zhvillimin e infrastrukturës sportive lokale.

I ftuar nderi në këtë ngjarje ishte Ambasadori i Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund, i cili në fjalimin e tij përshëndetës falënderoi kryetarin e Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm në përparimin e komunës dhe përkushtimin ndaj të rinjve.

“Kjo është një dëshmi konkrete se si bashkëpunimi ndërkombëtar dhe qeverisja e mirë japin rezultate të prekshme për komunitetin,” – theksoi ambasadori Westerlund, duke rikujtuar se Komuna e Suharekës ka fituar Grantin e Performancës në vlerë prej 1 milion euro, nga i cili mbi 500 mijë euro janë investuar në këtë poligon sportiv modern.

Të pranishmit e shumtë, përfshirë prindër dhe fëmijë, mirëpritën me duartrokitje këtë hap të rëndësishëm për jetën sportive dhe sociale të të rinjve suharekas. Ky investim jo vetëm që rrit standardin e aktiviteteve sportive, por edhe i jep frymë të re komunitetit lokal.

Në shenjë mirënjohjeje të thellë, kryetari Muharremaj i dhuroi ambasadorit Westerlund një pikturë të punuar me mjeshtëri nga profesori i njohur i artit, z. Refki Gollapeni, si simbol i respektit dhe falënderimit për përkrahjen e shtetit suedez ndaj Suharekës.