Suhareka gati të nisë programin ‘Edhe Punon, edhe Bën Mirë’, për herë të parë në Kosovë(VIDEO)

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të nisë implementimi i programit e Shërbimi “Geriatrik” apo siç është qujatur “Edhe Punon, edhe Bën Mirë” një shërbim unik dhe i pari i këtij lloji në Kosovë, i cili synon ofrimin e kujdesit shtëpiak për të moshuarit, të sëmurët dhe qytetarët që jetojnë vetëm.

Programi, i prezantuar nga kryetari Muharremaj përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, do të ofrojë:

Kujdes personal për përfituesit

Ndihmë në përgatitjen e ushqimit

Shoqërim dhe biseda për çdo gjyshe e gjysh

Mbështetje në aktivitetet e përditshme në kushte komoditeti në shtëpinë e tyre

Në një deklaratë për Radio Valën, kryetari Muharremaj theksoi se ky program ka dy qëllime të mëdha: nga njëra anë, të ofrojë kujdes dhe mbështetje emocionale për të moshuarit, dhe nga ana tjetër, të punësojë gra që aktualisht nuk janë aktive në tregun e punës, por që kanë përvojë jetësore në kujdes dhe amvisëri.

“Ky është një projekt që do të sjellë përfitime të dyanshme: të moshuarit do të ndihen të përkujdesur dhe më pak të vetmuar, ndërsa gratë do të kenë mundësinë të gjenerojnë të ardhura duke kontribuar për familjen e tyre dhe komunitetin,” u shpreh Muharremaj.

Programi “Edhe Punon, edhe Bën Mirë” pritet të fillojë shumë shpejt dhe është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së jetës në Komunën e Suharekës.