Kishinjev, kryeqyteti me diçka me shume se 500 mijë banorë i një Republike të vogël, Moldavisë. “Stadionul Zimbru”, impiant me diçka më tepër se 10 mijë vende. Lokacion që papritur kthehet në epiqendrën e vëmendjes së gjithë shqiptarëve. Këtu, këtë të premte Shqipëria ka takimin me historinë.
Shqipëria ka në dorë “match point” e parë të kualifikimit në Europian. Ëndrra e madhe është një pikë lart kthimit në realitet. Ndaj Moldavisë mjafton edhe barazimi, por e pamundur të luash për të.
Futbolli nuk është një shkencë ekzakte dhe kuqezinjtë e Sylvinhos do të futen në fushë për të fituar, përballë një ekipi që ka ardhur në rritje në këto eliminatore. Kanë mundur Poloninë, dhe në shtëpi ku nuk kanë asnjë humbje kanë mundur cekët.
Por në Tiranë, në atë fitore 2-0 qershorin e kaluar Shqipëria i bëri të duken të vegjël, duke e menaxhuar sfidën në kufijtë e perfeksionit, një ndeshje që edhe pse u zgjidh nga intuita dhe klasi i Asanit dhe Bajramit, Shqipëria u lejoi kundërshtarëve shumë pak.
Këtë herë me luksin e 2 rezultateve në dispozicion, kuqezinjtë pritet të bëjnë një sfidë inteligjente, duke lënë edhe kronometrin dhe presionin të bluajë Moldavët që iu bën punë vetëm fitorja, dhe kështu rrezikojnë të zhbalancohen.
Shqipëria zbret në fushë me entuziazmin e duhur dhe vetëbesimin e një skuadre solide që ka një identitet të qartë dhe me mekanizma të automatizuar. Meritë edhe e një formacioni pak a shumë stabël, me Sylvinhon që pa ndonjë të papritur të momentit të fundit, vështirë se mund të ndryshojë në krahasim me fitoren e fundit 3-0 kundër çekëve.
Gjithsesi askush nuk ka iluzione, do të jetë një sfidë e vështirë ku do të duhet përqendrim dhe sforco maksimale. Mbi të gjitha 11 futbollistët që do të jenë në fushë, e dinë se mbajnë mbi shpatulla ëndrrën e një kombi, ëndrrën që të gjithë ata vetë aq shumë kanë dëshiruar. Një sforco e fundit për ta bërë realitet. Europa na pret!
Lini një Përgjigje