Qindra shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Kazakistan do ta përkrahin Ballkanin ndaj Astanas

Kampioni i Kosovës, FC Ballkani këtë të enjte do të përballet në udhëtim me Astanan në kuadër të xhiros së katërt të Grupit C në Ligën e Konferencës.

Ndeshja, e vlefshme për xhiron e katërt në Grupin C, do të zhvillohet të enjten, me fillim prej orës 16:30.

Këto dy skuadra u takuan mes vete muajin e kaluar në “Fadil Vokrri”, me skuadrën nga Kazakistani që regjistroi fitore me rezultatin 1:2.

Viktoria Plzen prin në grup me 9 pikë, kurse Dinamo Zagreb, Ballkani dhe Astana ndajnë tri pozitat tjera me pikë të njëjta.

Ballkani ka paralajmëruar se shumë shqiptarë do ta përkrahin ekipin nga tribunat në Astana.

“Jemi një ditë para duelit të katërt në Grupin C në UECL, ku jemi mysafir të skuadrës së Astanas. Skuadra jonë e bashkuar si gjithmonë, do të zbres nesër në “Astana Stadium” për ta dhënë më të mirën. Kjo përballje fillon në orën 16:30 me kohën tonë, kurse 21:30 me orën lokale. Ne jemi të lumtur që qindra shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Kazakistan, do të jenë në tribuna për ta përkrahur kampionin e Kosovës”, shkruhet në njoftimin e Ballkanit.