Mjafton goli i Rashicës, Kosova mposht Izraelin, festë në “Fadil Vokrri”

Kosova ngrihet mbi vështirësitë duke marrë një fitore të vyer përballë Izraelit në “Fadil Vokrri”, në takimin e prapambetur pasi ishte shtyrë për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, çka kishte kushtëzuar edhe mungesën e lojtarëve të rëndësishëm në gjirin e Dardanëve, duke nisur nga kapiteni Amir Rrahmani apo talenti Zhegrova që zgjodhën të përfaqësonin klubet respektive.

Çështje e destinuar të ngrejë polemika, por gjithsesi të besuarit e Primozh Gliha ditën të ngrihen mbi  vështirësitë e situatës të një ndeshjeje me masa të veçanta sigurie cka shkaktoi edhe probleme me hyrjen e tifozëve në stadium, duke i kënaqur të pranishmit me një ndeshje të bukur dhe fitoren përballë rivalëve izraelitë.

Ishte e Kosovës tentativa e parë me Vedat Muriqin që krijoi hapësirën për të goditur me topin që gjithsesi qendror nuk ishte e vështirë për t’u kontrolluar nga portieri. Pas gjysmë ore lojë ishte sërish Muriqi që provoi pas një rrëmuje në zonë në krosimin e Rashicës, me “gardianin” izraelit që devijoi në këndore.