“Jam i kënaqur me barazimin”, Ilir Daja pas ndeshjes me Astanën: Jemi mirë dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë

Ballkani ka barazuar përballë Astanës në ndeshjen e vlefshme për raundin e katërt të fazës së grupeve të Conference League. Ndeshja e zhvilluar në Kazakistan përfundoi me rezultatin 0-0. Me këtë barazim, ekipi i Ilir Dajës mban vendin e 3-të në renditje me 4 pikë, ndërsa Astana me të njejtën kuotë pikësh renditett në vendin e dytë.

Pas kësaj sfide në konferencë për shtyp ka dalë dhe trajneri i ekipit nga Suhareka, Ilir Daja.

“Besoj se meritonim më shumë sepse kemi kontrolluar më shumë topin, në përqindjen më të madhe e kemi diktuar lojën. Kemi pasur shanset tona që po të kishim shënuar do ta kishim fituar lojën. Kemi bërë një lojë shumë të mirë, sepse ndryshimi i orarit gati 5 orë me Kosovën është e ndjeshme por nuk e hetuam këtë.

Bëmë një lojë akoma më të mirë se në Prishtinë edhe pse kishim përballë një ekip të fortë fizikisht dhe taktikisht. Jam i kënaqur edhe me barazimin edhe pse fitorja do të ishte edhe rezultat më i mirë. Ndeshja shkoj sipas planit. Në mbrojtje kemi luajtur shumë mirë sepse e kemi studiuar mirë kundërshtarin, por në 20 metrat e fundit mund të kishim bërë zgjidhje më të mira. Kemi barazuar rekordin tonë të pikëve nga edicioni i kaluar.

Jemi mirë dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë sepse do t’i luajmë deri në fund shanset tona për të kaluar grupin. Ne nuk kemi pasur objektiv kalimin e grupit, por kjo pritshmëri është rritur pas fitores me Dinamon. Ne do të vazhdojmë të japim kontributin për ta prezantuar më së miri futbollin e kampionatit të Kosovës dhe pastaj do t’i numërojmë pikët në fund të fazës së grupit”, është shprehur tekniku i kampionëve të Kosovës.