Vazhdojmë të bëjmë detyrat tona në fushë, duke luftuar ndeshje pas ndeshje, e duke bërë atë që na takon, si klub që i dha shumë futbollit të Kosovës.
Për fat të keq, jemi duke u përballur me një fushatë të pakuptimtë kundër nesh, me tendencë dëmtimin e reputacionit tonë.
Nuk kalojnë akuzat për asnjë sulm në shtëpinë tonë. Ndeshjet fitohen apo humben në fushë, kur aty mbyllet takimi, të tjera vegëza nuk e ndryshojnë asnjë gjë. Zhvilluam sot një ndeshje të qetë, të thjeshtë dhe me dominim të pritshëm e logjik, ndaj një skuadre tashmë të Ligës së Parë.
Shënuam 3 gola dhe krijuam raste edhe për shumë gola tjerë. Për fat të keq, një rezultat i tillë e mëse normal ndaj Fushë Kosovës, nuk qe i kapërdishëm për dikë, konkretisht zv.trajnerin e tyre, i cili rrugës për zhveshtore, nisi të fyej e ofendojë në drejtim të anëtarëve tanë, e dikush edhe mund të ja ketë kthyer me fjalorin e njejtë. Për këtë posa t’i marrim të gjitha detajet nga akterët, do të sqarohemi me informacione të tjera.
Kemi humbur edhe ne nga kundërshtari i sotëm në ndeshjen e kaluar, por fajin për atë paraqitje e kemi kërkuar brenda nesh, nuk kemi ofenduar oponentët.
Andaj le ta kuptojnë të gjithë njëherë e mirë, përfshirë edhe disa media që po ua zë “rrugën” suksesi ynë, qartësisht klubi i Ballkanit mbetet sinonim i mikëpritjes së mirë për të gjitha skuadrat që vijnë në Suharekë, ashtu siç ka qenë gjithmonë. Ashtu ishte edhe sot, ndeshje fer e korrekte, përshëndetje mes palëve dhe gjithçka në formën e duhur.
Ne fituam sepse ishim më të mirë në çdo aspekt, andaj duhet pranuar ky fakt.
Lini një Përgjigje