Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sonte atë që po konsiderohet si ndeshja kryesore dhe më e rëndësishme në fazën eliminatore të Kampionatit Evropian.
“Dardanët” do të jenë sonte “brenda ose jashtë” në përballjen që do ta kenë me Rumaninë.
Verdhekaltrit e kanë të domosdoshme fitoren në Bukuresht për t’i mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim eventual në Euro 2024.
Kjo pasi një barazim eventual do t’ia zbehte dukshëm gjasat, ndërsa humbja do t’ua shuante ato përfundimisht.
Aktualisht, Rumania është e dyta në Grupin I me 9 pikë, 5 më shumë se Kosova.
Për këtë, Vedat Muriqi me shokë kanë nevojë më shumë se kurrë më parë për tri pikë.
Kjo njëherësh do të ishte edhe fitorja e parë për Kosovën në këto eliminatore pasi deri tash i ka 4 barazime e 1 humbje në 5 ndeshje të luajtura.
Kontingjenti i ekipit kosovar ka mbërri dje në Bukuresht, ku është sistemuar dhe e ka zhvilluar seancën finale stërvitore.
“Dardanët” janë të motivuar pas barazimit që e regjistruan me Zvicrën, i cili i la ata në lojë për një kualifikim historik.
Selektori Primoz Gliha është shprehur se pret rezultat pozitiv të ekipit në stadiumin “National Arena.
Slloveni është zotuar se lojtarët kosovarë do të japin gjithçka nga vetja për ta arritur një gjë të tillë, shkruan “Gazeta Express”.
Ai është i bindur se sonte na pret një lojë e mirë dhe me plot ethe, pasi të dy ekipet kanë nevojë për pikë.
Kosova dhe Rumania kishin barazuar në përballjen e tyre të parë në Prishtinë.
Ndeshja e sontme mes tyre do të fillojë në orën 20:45.
Lini një Përgjigje