Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Gega, ka prezantuar pikat kryesore të programit të tij që lidhen me sektorin e ndërtimit, duke theksuar se përvoja e tij shumëvjeçare si ndërtues do të jetë bazë e angazhimit të tij në Kuvendin e Kosovës.
Gega njihet si një nga ndërtuesit më të mëdhenj në Suharekë dhe Prishtinë, me një aktivitet të gjatë profesional në këtë fushë. Sipas tij, kjo përvojë i ka dhënë njohuri të drejtpërdrejta për sfidat me të cilat përballen qytetarët, punëtorët dhe ndërtuesit, si në nivel lokal ashtu edhe qendror.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Gega ka deklaruar se, në cilësinë e deputetit, do të angazhohet për fuqizimin e komunave, me qëllim që pranimet teknike të objekteve të përfundojnë pa vonesa dhe pa bllokada të panevojshme, duke ua dorëzuar qytetarëve në kohë fletat poseduese.
Ai po ashtu ka theksuar nevojën për rritjen e numrit të inspektorëve të punës, në mënyrë që punëtorët e ndërtimit të kenë më shumë siguri dhe mbrojtje në vendin e punës.
Ndër prioritetet e tjera, Gega ka paralajmëruar dixhitalizimin e plotë të procesit të lejeve të ndërtimit në të gjithë vendin, duke kërkuar një sistem të unifikuar për të gjitha komunat, pa dallime apo trajtime të pabarabarta.
“Do të jem deputeti më i zëshëm që qytetarët të kenë fleta poseduese, punëtorët siguri dhe ndërtuesit rregull e barazi,” ka deklaruar Gega, duke shtuar se sektori i ndërtimit ka nevojë për rregull, përgjegjësi dhe barazi për të gjithë.

















Lini një Përgjigje