Reagime nga LDK dhe LVV pas zjarreve në disa fshatra të Suharekës

Pas shpërthimit të disa zjarreve gjatë ditës së sotme në disa lagje e fshatra të Komunës së Suharekës, kanë reaguar përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Kryetari i LDK-së në Suharekë Dr.Ardian Shala, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shprehur shqetësimin për situatën, duke theksuar se:

“Me shqetësim të madh kemi ndjekur situatën e zjarreve të shumta që kanë ndodhur gjatë ditës së sotme në disa lagje të fshatrave si Shiroka, Sopija, Sallagrazhda, Sllapuzhani, Dubrava e të tjera, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe ekologjike.”

Ndërkohë, edhe kandidati për kryetar komune nga radhët e LVV-së për zgjedhjet e 12 tetorit, Hamdi Bytyqi, ka reaguar lidhur me gjendjen e krijuar pas zjarreve:

“Në këto ditë me temperatura tepër të larta dhe thatësira të gjata, zjarret e ditëve të fundit dhe rreziku për shpërthimin e zjarreve të tjera është shumë i lartë. Zjarrvëniet jo vetëm që dëmtojnë pyjet, tokat bujqësore dhe pronën private, por rrezikojnë jetën dhe shëndetin e njerëzve e kafshëve. Së bashku mund të parandalojmë tragjedi dhe dëme të mëdha. Të mbrojmë natyrën dhe pronën tonë duke treguar përgjegjësi dhe kujdes maksimal.”

Zjarret kanë përfshirë zona të mëdha të pyjeve dhe tokave bujqësore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Autoritetet lokale dhe zjarrfikësit janë angazhuar për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa qytetarët janë ftuar të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo rrezik potencial.