Presidenti i FFK-së, Agim Ademi viziton Suharekën dhe takohet me veteranët e futbollit

Sot në Suharekë është mbajtur takimi tradicional vjetor i veteranëve të futbollit, një ngjarje e veçantë që bashkon figura të njohura të sportit lokal.

Takimi nisi me një vizitë të përbashkët në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të sakrificës kombëtare, e më pas vijoi në Suharekë me një darkë tradicionale, e organizuar si çdo vit nga komuniteti sportiv.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi, i cili shprehu respektin dhe mirënjohjen për kontributin e veteranëve në zhvillimin e futbollit në vend.

Ai theksoi rëndësinë e këtyre figurave për edukimin sportiv të brezave të rinj.

Një mbrëmje e mbushur me kujtime, falënderime dhe përkushtim për të ardhmen e futbollit suharekas.