Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim një emision të ri të pullave postare në nderim të figurës dhe veprës së regjisorit dhe pedagogut të mirënjohur kosovar, Bekim Lumi.
Bekim Lumi (1966–2018) ishte një prej emrave më të rëndësishëm të teatrit modern në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare. Si regjisor vizionar dhe pedagog i përkushtuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ai la gjurmë të pashlyeshme në edukimin artistik dhe në skenën teatrore.
Me regji të guximshme dhe qasje bashkëkohore, ai i dha teatrit shqiptar një frymë të re, duke u konsideruar me të drejtë si një nga regjisorët më të vlerësuar të kohës së tij.
Nga viti 2006 deri më 2010, Lumi botoi revistën teatrore “Loja”, ndërsa me shfaqjet e tij përfaqësoi Kosovën në dhjetëra festivale ndërkombëtare, në Zvicër, Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë e Hercegovinë, e më gjerë.
Për punën e tij regjisoriale është nderuar me shumë çmime prestigjioze, përfshirë çmimin kryesor “Shfaqja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano (Zvicër) më 2006, për shfaqjen “Mësimi” në Teatrin “Dodona”. Po ashtu, në vitin 2016 u shpall “Regjisor i vitit” nga Ministria e Kulturës së Kosovës, ndërsa në vitin 2019, për shfaqjen “Arturo Ui”, mori shpërblimin “Regjia më e mirë e vitit”, dhe vetë shfaqja u shpall “Shfaqja më e mirë e vitit”.
Në vitin 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi Bekim Lumin post mortum me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën teatrore.
Si profesor, Bekim Lumi ishte figurë kyçe në formimin e brezave të rinj të aktorëve dhe regjisorëve, duke kontribuar fuqishëm në edukimin artistik në vend.
Pas vdekjes së tij, Qendra Multimedia botoi disa nga veprat e tij, përfshirë:
- “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (2019) – një studim krahasues,
- “Engjëlli blu” (2021) – libër me poezi,
- “Loja e Bekim Lumit” – përmbledhje me kritika, shqyrtime dhe shënime.
Figura dhe trashëgimia e Bekim Lumit vazhdojnë të jenë frymëzim për brezat e rinj dhe skenën teatrore shqiptare.



Lini një Përgjigje