Parku “Avdyl Kuçi” – Një kujtim i gjallë për sakrificën dhe dashurinë për liri

Një histori e veçantë dhe prekëse lidhet me Bacën Muharrem, një burrë i moshuar nga Suhareka, i cili, megjithëse i sfiduar nga vitet, mbetet i pathyeshëm në shpirt. Djali i tij, Avdyl Kuçi, ishte një nga të rinjtë trima që morën pjesë në demonstratat për liri dhe drejtësi.

Fatkeqësisht, si pasojë e plagëve të marra, ai humbi jetën, duke u bërë simbol i një brezi të tërë që dha gjithçka për atdheun.

Por dhimbja e thellë e Bacës Muharrem nuk u shndërrua vetëm në kujtim – ajo u kthye në vepër. Në nderim të të birit, ai ndërtoi një park për qytetarët e Suharekës – një hapësirë publike që ruan frymën e lirisë dhe kujtesën e sakrificës.

Sot, Parku “Avdyl Kuçi” qëndron si dëshmi e dashurisë për vendin dhe si një vend reflektimi për të kaluarën tonë të lavdishme. Ai është jo vetëm një kënd bukurie natyrore, por edhe një monument shpirtëror që nderon jetën dhe veprën e një të riu që dha gjithçka për lirinë.

Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, ka ndarë një mirënjohje për Bacën Muharrem, në shenjë nderimi për kontributin dhe sakrificën e tij.

“E pakta që mund të bëja si kryetar komune, ishte ta nderoja sot kujtimin dhe veprën e tij me mirënjohje,” – u shpreh kryetari Muharremaj.